“E ka mizën pas veshi”, Vjosa: S’më intereson çfarë mendon Rama për mua


Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se për të s’është aspak e rëndësishme se çfarë mendon personalisht për të, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkruan Gazeta Express.

Osmani tha se Rama s’ka qenë fare në Kuvendin e Shqipërisë gjatë fjalimit të saj, ndonëse obligohet nga protokolli. Por, ajo tha se kjo duhet të kalohet.“Vërtetë është tetjer irelevante se çka mendon personalisht ai për mua. Ai e ka bërë njëfarë vlerësimi komplet personal – që fare nuk më intereson – dhe tërësisht të pabazuar në fakte. Nuk ka qenë fare prezent gjatë fjalimit tim. Është e domosdoshme me protokoll shtetëror dhe nuk ka ndodhur – sa kam dëgjuar – në historinë e institucioneve të Shqipërisë… Duhet ta tejkalojmë këtë”, tha Osmani të hënën për “Kallxo.com”.

Ajo e ka përmendur një pjesë të fjalimit të saj në Kuvendin shqiptar, për të cilën tha se dikush “e ka mizën mas veshi”.“Në Parlamentin e Shqipërisë e kam thënë një të vërtetë të domosdoshme, që asnjë shqiptar kudo që jeton, në të gjitha trojet shqiptare – s’e kam përmendur asnjë emër – nuk duhet ta ketë preokupim se si t’ia mbrojë fytyrën Serbisë. Tash pse dikush e ka mizën pas veshi, unë nuk ju kam faj”, tha Osmani.

Ajo shtoi se gjatë fjalimit nuk e kishte vërejtur mungesën e Ramës në Kuvend, por shtoi se u qëndron prapa qëndrimeve të shprehura.

“Unë vërtetë në ato momente nuk e kam vrejtë sepse nuk është që e kam ditur se ku saktësiht qëndron në rastet e seancave solemne.. Mirëpo unë jam plotësisht në të njëjtat qëndrime që i kam shprehur në Parlamentin e Shqipërisë”, tha Osmani.

Mospritjen nga Edi Rama në Shqipëri, ajo e cilësoi si mosrespekt ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.

“Mosrespekti ndaj cilitdo politikan, jo vetëm ndaj meje, është mosrespekt ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës të cilët unë sot i përfaqësoj jo vetëm për shkak të pozitës por edhe për shkak të legjitimitetit qytetar që kam nga zgjedhjet e fundit”, tha Osmani.

Gjatë një konference për media pas vizitës së Osmanit në Shqipëri, kryeministri Edi Rama kishte thënë se kryeparlamentarja e Kosovës kishte shkuar atje për të propaganduar në kërkim të votave. /Express/