Gjermania me masa të rrepta nga sot, çfarë pritet të ndodhë me Kosovën?


Gjermania ka hyrë në një bllokadë të rreptë, duke mbyllur shkollat dhe bizneset që s’janë esenciale në përpjekjen për të ndaluar një rritje të shpejtë të infeksioneve nga COVID-19.

Masat do të jenë në fuqi deri më 10 janar. Për Krishtlindje do të ketë disa lehtësi të vogla ku një shtëpi do të mund të presë katër anëtarë të ngushtë të familjes.

Gjermania të mërkurën raportoi 952 vdekje të reja dhe 23,427 raste të reja të infektimit.

Vende të tjera europiane kanë shtrënguar masat para Krishtlindjeve me Francën,e cila po vendos një orë policore natën.

Sipas masave të reja të Gjermanisë, vetëm bizneset thelbësore të tilla si supermarketet dhe bankat do të lejohen të qëndrojnë të hapura. Restorantet, baret dhe qendrat rekreative janë mbyllur që nga nëntori dhe disa zona të vendit kishin vendosur bllokadat e tyre.

Sallonet e flokëve janë ndër bizneset që duhet të mbyllen, ndërsa pirja e alkoolit në vende publike, të tilla si tezgat e njohura të verës së nxehtë, është e ndaluar, transmeton klan. Kompanitë po nxiten që të lejojnë punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia.

Lothar Wieler, kreu i institutit gjerman Robert Koch, i cili po mbikëqyr situatën me COVID-19, tha se situata ishte “më e rëndë se sa ka qenë ndonjëherë”.

“Numri i rasteve është më i lartë se kurrë dhe po vazhdojnë të rriten. Ekziston rreziku që situata të përkeqësohet dhe do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të trajtohet pandemia dhe pasojat e saj”.