Jo veç Kurti, por edhe këto figura të njohura politike nuk mund të garojnë në zgjedhje


Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas këtij vendimi të plotë, tashmë i është hapur rruga presidentes Vjosa Osmani për ta shpërbërë Kuvendin dhe të shpall datën e zgjedhjeve brenda 40 ditësh.

E po ky vendim, zyrtarizon edhe çështjen më të diskutuar, ku ndalohet kandidimi i të dënuarve.

Përveç kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili nuk mund të garojë në zgjedhje në listën e deputetëve, për shkak se është i dënuar, fat të njëjtë kanë edhe disa figura të njohura politike të viteve të fundit.

Në këto zgjedhje për deputete nuk mund të garojë as ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ishte dënuar për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim, kurse për pengim të personit zyrtar ishte dënuar me 6 muaj, kurse në fund asaj i ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e katër muaj burgim me kusht.

As Donika Kadaj-Bujupi që në legjislaturën e fundit ishte deputete nën petkun e AAK-së e që ka konfirmuar se nuk është pjesë e kësaj partie pasi vet subjekti që nga mosvotimi i qeverisë Hoti nuk e ka kontaktuar asnjëherë për të marrë pjesë në aktivitete, nuk do të ketë mundësi të garojë për deputete.

Kadaj-Bujupi për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj, kurse për pengim të personit zyrtar është dënuar me 6 muaj burgim. Ndaj saj, ishte shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Edhe ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli nuk do të ketë mundësi të garojë për deputet, pasi ishte dënuar me 1 vit burgim për përdorim të armës, për pengim te personit zyrtar 3 muaj burgim, kurse më pas ndaj tij është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e 2 muaj me kusht.