Mësoni se ç’po ndodh me dollarin me rikthimin e emigrantëve, euro bie në nivelin më të ulët të këtij viti


Që nga fillimi i muajit dhjetor monedha europiane Euro ka shënuar një dobësim të vazhdueshëm duke arritur nivelin më të ulët që pas shpërthimit të pandemisë. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në datën 2 të këtij muaji, euro këmbehej me 123.88 lekë ndërsa të enjten arriti në nivelin e 122.92 lekëve. Euro nuk kishte shënuar një kurs më të ulët ndaj lekut që nga data 19 mars e këtij viti. Nga vëzhgimet rezulton se këtë të shtunë pikat e këmbimit valutor e blejnë një euro për 122.7 lekë ndërsa e shesin për 123.4. Sipas ekspertëve të ekonomisë mbiçmimi i lekut ndaj euros është një tendencë sezonale në muajin dhjetor, e lidhur kjo me rritjen e ofertës së monedhës europiane në treg.

Kjo ofertë e shtuar lidhet kryesisht me rritjen e konsumit edhe për shkak të festave dhe kthimin e emigrantëve. Pavarësisht se turistët këtë vit u përgjysmuan dhe udhëtimet në përgjithësi janë reduktuar, sërish sezoni i fundvitit po jep efektin e vet në kursin e këmbimit. Vetëm gjatë periudhës 17 deri në 24 dhjetor euro ka humbur rreth 0.7 pikë. Sipas të dhënave, edhe Dollari amerikan ka regjistruar rënie të vlerës përgjatë kësaj jave duke humbur mbi 0.5 pikë nga 21-24 dhjetori teksa është këmbyer me 100.81 lekë. Paundi britanik pas një dobësimi të fortë në javën e kaluar, është rikuperuar këtë javë, duke u këmbyer ditën e enjte me 137.14 lekë.