Musliu: PDK-ja s’ka vija të kuqe për VV-në


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se partia e saj nuk ka vija të kuqe për asnjë parti tjetër, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosjen me të cilën vazhdimisht kanë pasur përplasje.

Musliu ka thënë se në PDK s’është diskutuar për koalicione parazgjedhore për zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti.

“Partia Demokratike asnjëherë nuk ka vendosur vija të kuqe. PDK, koalicionin e përjetshëm e ka me qytetarët e Kosovës. Ne çdo herë do të jemi garanci për një shtet me integritet, një shtet me sovranitet të plotë, dhe një shtet ku secili qytetarë i Republikës së Kosovës do të ndihet i dinjitetshëm.

Asnjëherë nuk do të vendosim vija të kuqe për askënd, dhe nëse edhe Lëvizja Vetëvendosje është parti shqiptare e Kosovës, atëherë kjo nënkupton që edhe për Lëvizjen Vetëvendosje vlejnë rregullat e njëjta dhe nuk bëjmë përjashtim.

Por deri më tani, si parti politike dhe si struktura organizative vendimmarrëse, ne nuk e kemi në tavolinë temën ose diskutimin e koalicioneve as parazgjedhore, apo edhe pas zgjedhore, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Musliut, nga qëndrimi i PDK-së që të mos ketë vija të kuqe ndaj partive tjera kanë mësuar të gjitha partitë.

“Partia Demokratike e Kosovës tashmë vitet e fundit ka filluar të shndërrohet në një model se si duhet të funksionojnë partitë demokratike në një shtet të pavarur. E them këtë sepse para një viti kishim zgjedhje në Kosovë dhe të gjitha partitë politike vendosën vija të kuqe karshi Partisë Demokratike të Kosovës, ishte e vetmja PDK-ja ajo e cila ishte kundër vijave të kuqe për partitë politike shqiptare të Kosovës.

Tani në këto zgjedhje që po ofrohen të gjitha partitë, në çdo studio televizive, në çdo paraqitje thonë se vijat e kuqe janë të padobishme dhe nuk do të jenë prioritet për asnjë parti. Kjo do të thotë se kanë marrë mësim nga e kaluara, dhe Partia Demokratike iu ka dhënë një leksion partive tjera”, ka shtuar ajo për KP.

Musliu thotë se ofertat për koalicionet e mundshme, do të bazohen në ide dhe vizione, ndërsa fton elektoratin që të mos votojë me inate, por të orientohet te partitë që kanë dhënë rezultate dhe krijuar stabilitet në vend. Sipas saj, zgjedhjet e reja Kosovën e gjejnë më të destabilizuar dhe me të pasigurt se kurrë më parë.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të vitit të ardhshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti në qershor. Kushtetuesja kërkoi nga ushtruesja e detyrës së presidentes që të shpallë zgjedhjet e reja. Kjo pritet të bëhet pasi të publikohet aktgjykimi i plotë i gjykatës