“Nëse fiton UÇK-ja kërkoj azil në Beograd”, ja kush e zbulon se çfarë kishte thënë Hashim Thaçi për Enver Hoxhajn (Video)


Me ngritjen e aktakuzës ndaj Kadri Veselit, Enver Hoxhaj u bë ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. E gjatë ditë së djeshme, Enver Hoxhaj u zyrtarizua edhe si kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen brenda 40 ditësh, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vendim ky që e rrëzoi Qeverinë Hoti.

Por, në një intervistë të dhënë në vitin 2013, Bilall Sherifi, tash anëtar i Nismës Socialdemokrate, kishte treguar detaje shokuese, që sipas tij, Hashim Thaçi i kishte thënë për Enver Hoxhajn.

“Interesant është kjo historia e Thaçit. Njerëzit të cilët i ka konsideruar edhe i ka shpall shpesh herë armik në prezencë tonë, ka kërkuar që të mos rrinë me ta pse punojnë kundër Kosovës, se kanë punuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shpif kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mënyrë eksplicite ka kërkuar mos rrini me këtë, mos rrini me këtë, sepse ata janë armiq të Kosovës. E me kalimin e kohës i ka bërë bashkëpunëtorë më të afërt”, ishte shprehur Sherifi në vitin 2013.

“Njëri nga ta është Enver Hoxhaj, Ministri i Jashtëm i Kosovës, për të cilin Hashim Thaçi na ka tregu neve se kush është. Ne nuk e kemi njohur. Ai na ka thënë Enver Hoxhaj është një njeri i cili në Vjenë e ka sabotuar UÇK-në, ka punuar kundër UÇK-së, ka punuar kundër PDK-së. Bile na ka thënë një citat, sdi sa është i vërtetë, ai duhet ta sqarojë këtë se Enver Hoxhaj ka thënë se po t’fitojë UÇK-ja, pastaj PDK-ja, unë do të kërkoj azil në Beograd. E ka thënë Hashim Thaçi, neve na ka thënë Hashim Thaçi, prandaj kërkoj që mos të rrini me atë njeri se ai është kundërvajtës, kështu e citoj tekstualisht çka ka thënë për të. Pra si mund unë tash të besoj një njeri që do të mbrojë interesat në raport me Serbinë, për të cilin Hashim Thaçi na ka thënë se ai është i gatshëm të shkojë dhe të kërkojë azil në Beograd”, kishte deklaruar Bilall Sherifi në vitin 2013, intervistë të cilën mund ta ndiqni nga minuta e 8-të, shkruan “Bota sot”.