Policia e dënon për maskë, qytetari incizon policin në veturë “pa maskë” (VIDEO)


Një qytetar është gjobitur nga Policia e Kosovës për mosrespektim të masave kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Qytetari nuk kishte vendosur maskën dhe Policia e kishte gjobitur. Ndërkohë deri sa po priste për të marrë dokumentet dhe gjobën, qytetari fillon dhe xhiron një veturë e cila gjendej vetëm pak metra prej vendit ku po gjobitej qytetari, e në të cilën veturë ishin dy zyrtarë të tjerë policorë duke biseduar me një polic tjetër.

Qytetari i cili ka xhiruar të gjithë ngjarjen video-incizimin e ka dërguar në KALLXO.com dhe ka raportuar se kishte pranuar gjobën, ani pse vetëm pak metra larg tij brenda veturës së Policisë qëndronte një polic, sipas tij, pa maskë.

Me të parë që qytetari ka filluar të incizojë, në drejtim të këtij të fundit vjen polici i cili ishte duke biseduar me dy zyrtarët policorë që gjendeshin brenda veturës dhe kërkon nga qytetari ta ndalojë incizimin.

Qytetari tregon se ka të drejtë të ketë fakte në rast të ankesës së tij në organet kompetente.

“Ligji a vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës?”, i drejtohet qytetari zyrtarit policor. “Po”, i përgjigjet polici ndërsa qytetari vazhdon ta pyes se a është polici qytetar i Kosovës. “Ai në veturë a është qytetar i Kosovës?”, pyet qytetari. “Ai e ka maskën”, ia kthen polici ndërsa qytetari kishte video incizimin ku shihet polici se nuk e kishte vendosur maskën.

“Dënom me plotë të drejtë sepse isha pa maskë”, thotë qytetari ndërsa i drejtohet se të njëjtat rregulla duhet të zbatohen edhe nga zyrtarët policorë.

Në video-incizim shihet se të gjithë zyrtarët të cilët gjendeshin në disa vetura dalin jashtë të pajisur me maska, përfshirë edhe atë që fillimisht nuk e kishte vënë maskën.

Manuali i Qeverisë së Kosovës obligon të gjithë qytetarët që të bartin maska në mënyrë që të mos përhapet COVID-19.

Rregullat vlejnë edhe për në vetura. Pra maskat janë të obligueshme të mbahen edhe brenda veturave gjatë kohës sa je duke udhëtuar.