“Sa të jem në krye të Serbisë, s’do ta njohim Kosovën”, BE-ja nuk e komenton deklaratën e Vuçiqit


BE s’i komenton deklaratat e Vuçiqit për njohje, por i jep kohë dialogut
Bashkimi Europian bazuar në rregullin e përgjithshëm nuk do që të komentojë deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq që tha se derisa ai të jetë në krye të Serbisë nuk do të ketë njohje për pavarësinë e Kosovës si rezultat nga dialogu Kosovë-Serbi.

Ndonëse të dyja palët e bisedimeve kanë përplasje drastike dhe aspak afrim të qëndrimeve, BE-ja nuk kushtëzon as nuk propozon zgjidhje, por vetëm tha se Kosova dhe Serbia do të kenë kohën e mjaftueshme për të arritur te pajtimi.

Këtë e konfirmoi një zëdhënës i BE-së që refuzoi të deklarohet nëse zotimi për mosnjohje të Kosovës nga ana e presidentit serb mund të çojë në bllokim të sërishëm të dialogut.

“Ritmi i dialogut përcaktohet nga të dyja palët. Si lehtësuese, BE-ja do t’i japë dialogut kohën e nevojshme pa e shpejtuar atë artificialisht, por në të njëjtën kohë edhe pa e zvarritur atë pa nevojë”, thanë shkurt nga BE.

Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të jetë pala që do të ndërpresë dialogun dhe u zotua se do t’i përgjigjet thirrjeve të BE-së, por me kushtin që në fund të bisedimeve Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën.

Megjithatë, partneri më i madh i koalicionit të Hotit, AAK-ja, është pozicionuar se duhet pezulluar dialogu dhe nuk pajtohet me atë që thotë kryeministri.

Këtë qëndrim të partisë po e mban edhe e para e diplomacisë, Meliza Haradinaj-Stublla, që ndryshe nga Qeveria në një deklaratë tha se deklarata e Vuçiqit nënkupton përjashtim nga dialogu deri më 2022.