URIME! Albright i kthehet Kosovës


Sinjale të forta se do të mbetet akter në bisedimet Kosovë-Serbi , ka dhënë ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright.

Ndonëse nuk dha pohim apo mohim të qartë mbi këtë temë , ajo të martën gjatë një debati online në kuadër të “Java e gruas” foli direkt duke u përgjigjur në pyetje të Klan Kosova

”Jam shumë e lumtur për gjërat që kanë ndodhur në Kosovë”.

”Unë përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës. Javën që shkoj unë fola pranë Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan. Aty e bëra të qartë se ajo çka duhet të ndodh është që Kosova duhet të trajtohet si vend normal. Kosova duhet të ketë të drejtat dhe përgjegjësitë që i ka një vend i pavarur”.

”Ajo duhet të ec përpara në këtë drejtim. Unë vazhdimisht do të flas se çka duhet të ndodh mes jush Kosovës dhe Beogradit pra Serbisë. Unë vërtetë mendoj se Ballkani është një çështje me të cilën duhet të merremi. Kosova këtu luan një rol fortë të madh”.

Veç kësaj, Albright që tash mban postin e kryetares së Institutit Kombëtar Demokartik të Amerikës, shpalosi lidhjen emocionale që e ka me shtetin e Kosovës.

”Kur njerëzit më pyesin se për çka unë jam më e lumtura që bëra gjatë kohës sa isha sekretare e shtetit, përgjigja është mundimi im për të ndihmuar popullin e Kosovës”.

”Në qershor të 2019 unë bashkë me Presidentin Bill Clinton shkuam në Prishtinë. Kurrë në jetë nuk kam qenë një vend ku shihen kaq shumë flamuj amerikan dhe shenja ku shkruhet “Faleminderit USA”. Njerëzit ishin aq të lumtur për atë që bëmë ne”, shtoi ish-sekretarja e Shtetit Amerikan gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Madeleine Albright plot me pasion por edhe me pak ironi vazhdoi të flasë për vizitën e saj që e kishte bashkë me ish-presidentin Bill Clinton në Prishtinë më 12 qershor 2019, kur u festua 20 vjetori i çlirimit nga Serbia dhe hyrja e forcave të NATO-s

”Aty ma kanë bërë një bust që për fat të mirë më bënë mua të dukem më e gjatë. Pastaj shkuam ta shohim statujën e Clintonit. Ajo çfarë e dashuroj unë është se ka një gjeneratë të vajzave të reja që mbajnë emrin Madeleine”.