Vjosa Osmani tronditi Edi Ramën: Kryeministrit iu mbyll goja, nuk guxoi të ballafaqohet, as t’i kundërvihet


Bytyçi: Ishte hera e parë që Edi Ramës iu kyç dera e goja
Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani, nga data 16-18 dhjetor qëndroi në Shqipëri, në vizitën e parë zyrtare prejse e ka marrë detyrën. Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, Osmani zhvilloi një sërë takimesh me liderët shtetërorë dhe partiakë atje.

Njohësit e fushës konsiderojnë se ajo çfarë ndodhi me vizitën e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, nuk kishte ndodhur në asnjë rast.

Sipas tyre, mesazhet e presidentes në detyrë të Kosovës ishin të qarta, të sakta, të prera dhe në pajtim të plotë me interesat kombëtare.

Asnjëherë nuk kishte ndodhur që një kryetar qeverie i Tiranës të kishte bojkotuar fjalimin në Kuvend të një kryetari shteti të Kosovës.

Por, kjo ngjau me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani. Edi Rama nuk i shkoi fare në sallën e Kuvendit.

U.d presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë për dënimin e gjeno cidit serb në Kosovë.

Bytyçi: Ishte hera e parë që Edi Ramës iu kyç dera e goja

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, duke folur për vizitën e fundit të u.d presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shqipëri, ka thënë se ajo çfarë ndodhi me vizitën e Osmanit, nuk kishte ndodhur në asnjë rast të mëparshëm.

“Vjosa Osmani ishte për tri radhazi për vizitë zyrtare në Shqipëri e ftuar nga presidenti shqiptar, Ilir Meta. Gjithmonë vizitat zyrtare të liderëve dhe shtetarëve të Kosovës janë prit me kureshtje. Por, ajo çfarë ndodhi me vizitën e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, nuk kishte ndodhur në asnjë rast të mëparshëm. Ishim mësuar me vizita çokash. Me larje e shpëlarje truri. Me vizita fasadë për të gënjyer dhe mashtruar opinionin publik. Vinte Hashim Thaçi dhe jepte mesazhet se me Edi Ramën do të ndryshonte botë, përfshirë edhe kufijtë e saj, duke filluar nga ato të Kosovës. Vinin e shkonin edhe të tjerë liderë të Kosovës dhe gjenin një lloj kompromisi për t’ia shpëtuar Ramës fytyrën e për të mos e godit atë. Rama në anën e tij ishte dhe është i përkushtuar që t’ia shpëtojë fytyrën Serbisë dhe mikut të tij Vuçiq. Kështu shkonte kjo punë. Rama për Serbinë dhe liderët e Kosovës për Ramën, me ose pa dashje, me ose pa vetëdije”, shprehet Bytyçi.

Bytyçi rastin e vizitës së Osmanit në Shqipëri e sheh krejt ndryshe, pasi sipas tij, ishte hera e parë që Edi Rama nuk guxoi as të ballafaqohet, as t’i kundërvihet, as ta anatemojë presidenten në detyrë të Kosovës.

“Edhe Albin Kurti kur e vizitoi Ramën ra në kurthin e tij të pabesisë, kur ia prezantoi krejt papritur aktorin francez, mik të Vladimir Putinit, Gerard Depardieu, në zyrën e tij. Me Vjosa Osmanin ishte krejt ndryshe. Ishte hera e parë që Edi Rama nuk guxoi as të ballafaqohet, as t’i kundërvihet, as ta anatemojë presidenten në detyrë të Kosovës. Ishte hera e parë, që Edi Ramës iu kyç dera e goja, sa i përket reagimeve ndaj deklaratave të hapura të Vjosa Osmanit. Ishte hera e parë, që kryeministri i Shqipërisë pranoi të “mbyllej” në guaskën e vet e të mos guxonte as të shkonte në sallën e parlamentit kur Vjosa Osmani mbajti fjalën e saj. Dhe e gjitha kjo nuk ndodhi për paaftësinë e Edi Ramës për t’u përballur e për të përbaltur një personalitet të Kosovës, por sepse fuqia e zonjës Osmani ishte kapitulluese për të”, deklaron profesori i njohur.

Sa i përket deklaratave të Osmanit, Bytyçi shprehet se mesazhet e presidentes në detyrë të Kosovës ishin të qarta, të sakta, të prera dhe në pajtim të plotë me interesat kombëtare.

“Do të vijë një moment dhe Edi Rama do ta japë një përgjigje, një shpjegim për qëndrimin e tij prej struci. Do të thotë se “Unë e tolerova zonjën Osmani, sepse nuk mund të merresha me një gru”. Por, Edi Rama nuk është nga ata që nuk merret me gra e me fëmijë. Kur ia do puna fëmijëve u thotë “halabakë” dhe grave “të përdala”. Nuk ka asnjë problem as me vokabularin, as me etikën, as me mirësinë. Nuk i njeh ai këto kategori njerëzore. Deklaratat dhe mesazhet e presidentes në detyrë të Kosovës ishin të qarta, të sakta, të prera dhe pa dyshim në pajtim të plotë me interesat kombëtare. Kjo vizitë nuk ishte në funksion të ndonjë misioni anti-Rama. Ishte në funksion të mbrojtjes së interesave kombëtare të shqiptarëve. Zoti Bushati dhe të tjerë analistë të Ramës bëjnë interpretimet e tyre. Disa prej tyre e relativizojnë qëndrimin e zonjës Osmani me nevojën që ajo paska për t’u promovuar”, ka shtuar me tej Bytyçi.

Me tej ai po ashtu potencon se ndërtimi i skemave anti-Vjosë të Ramës nuk kanë as logjikë, e as sukses.

“Rama i përket kategorisë së mashtruesve”

“Me lejoni të them se të gjithë politikanët duan të promovohen dhe punojnë për këtë qëllim. Synimi i tyre është pushteti, ndryshe ata nuk do të kishin pse të merreshin me politikë. Maximilian Ëeber shkruan se ka dy lloj politikanësh. Njëri grupim synon të vijë në pushtet me qëllim që t’u shërbejë të tjerëve, qytetarëve dhe një grupim politikanësh që vijnë në pushtet për t’i shërbyer vetes së tyre. Vjosa Osmani i përket grupit të parë, ndërsa Rama, Hashimi, dhe të tjerë i përkasin grupit të dytë. Por, nëse një politikan e do pushtetin për t’u shërbyer qytetarëve, kjo nuk do të thotë se ai nuk lufton për karrierën e tij politike. Prandaj ndërtimi i skemave anti-Vjosë të enturazhit të Ramës është defantil, nuk ka as logjikë, as sukses. Për mua janë të ndershëm të gjithë ata politikanë që nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre politike kur vijnë në pushtet, nga ato që kishin në opozitë”, tha ai.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, vizita e zonjës Osmani qartësoi edhe njëherë në sytë e shqiptarëve se politika shqiptare është e ndarë ende edhe sot si politikë në interes të kombit.

“Ndaj, nëse Vjosa Osmani mbajti qëndrime kombëtare në vizitën e saj në Shqipëri dhe fjalën e saj në parlament, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë mision anti-Rama. Kjo ndodh për shkak të pikëpamjeve dhe qëndrimeve politike të kundërta midis Vjosës dhe Edit sa i përket çështjes sonë kombëtare dhe veçanërisht çështjes së Kosovës. do interpretim tjetër është dashakeqës dhe qepet sipas modës së Edi Ramës. Në fund të fundit vizita e zonjës Osmani qartësoi edhe njëherë në sytë e shqiptarëve se politika shqiptare është e ndarë ende edhe sot si politikë në interes të kombit dhe në të kundërtën si politikë në interes të armiqve të kombit tonë. Të luftosh për interesat kombëtare, siç bën Vjosa është mision kombëtar, të luftosh në mbrojte të interesave të Serbisë, siç bën Rama, është gjithashtu mision anti-kombëtar”, tha profesori dhe njohësi i zhvillimeve politike, Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Vjosa Osmani s’ka shkuar me mision anti-Rama

Ndërsa, analisti tjetër, Faton Mehmeti, vizitën e Osmanit e sheh si të natyrshme.

Ai është i mendimit se raportet personale dhe rreshtimet në njërin krah dhe në tjetrin po ndikojnë që raportet politike Kosovë-Shqipëri të jenë jo të mira.

“Vizita e Vjosës është në Shqipëri është e natyrshme, mirëpo në vazhdën e acarimit të raporteve personale ndërmjet liderëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit. Fatkeqësisht, raportet personale dhe rreshtimet në njërin krah dhe në tjetrin po ndikojnë që raportet politike Kosovë-Shqipëri të jenë jo të mira. Vizita e Vjosës ka shkaktuar ‘tërmet’ në sensin që i ceki shqetësimet e saja në raport me qëndrimet e Edi Ramës. Ky i fundit është shkaktar për raportet e acaruar me Ramushin, Albinin dhe Vjosën pasi u përfshi në projektin e Vuçiqit dhe Thaçit për ndarje të Kosovës”, ka deklaruar analisti Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Mehmeti ka shtuar se kjo vizitë për të parën e shtetit të Kosovës ishte e suksesshme. Kurse, paraqitja e kësaj të fundit, ishte për t’u çmuar.

“Me Andi Bushatin pajtohem në shumë çështje, por jo në këtë rast. Vjosa s’ka shkuar me mision anti-Rama, por meqenëse ishte në Tiranë është e rrugës që vëllait t’i thuhet në sy kur e ka gabim. Vjosa s’kishte si t’i bënte katikule (qejfin) Edi Ramës derisa në mes qëndron ideja e tij, Vuçiqit dhe Thaçit për ndarje. Në përgjithësi e vlerësoj të suksesshme vizitën e Vjosës, dhe është për t’u çmuar paraqitja e saj në Kuvendin e Shqipërisë, një fjalim brilant dhe me dinjitet”, tha ai.

Burjani: Nuk mund të quhet si vizitë anti-Rama

Kurse, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, konsideron se Shqipëria gjithmonë ka qenë e interesuar për zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në BE. Andaj, këtë vizitë ai e quan si të rëndomtë, dhe jo si vizitë an ti-Rama.

“Vizita është rëndomtë dhe vëllazërore. Diferencat janë ndaj politikës së Ramës përgjatë kësaj kohe që ka pas kritika rreth minishengenit, dhe disa iniciativave të tjera, kjo nuk mund të quhet si vizitë anti-Rama, kur dihet Shqipëria është gjithnjë e interesuar për zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në BE, dhe për të marr karrigen në OKB. Pra, politika e jonë duhet koordinuar me Shqipërinë, kjo është e natyrshme dhe vëllazërore. Diferenca mund të ketë, në të berit politikë, por nuk ka dhe nuk mund të ketë diferenca në interesa mbarëkombëtarë”, ka thënë Burjani, për “Bota sot”.

Krejt në fund, ai ka bërë me dije se të dy vendet duhet të koordinojnë edhe më shumë politikan në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar, pasi konsideron se është më së i nevojshëm për të dyja vendet.

“Kosova duhet të koordinojë politikat e saj pa marrë parasysh kush është në pushtet në Shqipëri. Është shteti i të gjithë shqiptarëve, andaj angazhimi për një politikë më aktive në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar është i nevojshëm gjithmonë”, tha krejt në fund, njohësi i heshtjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.